News
Ura lidhëse përmes fjalës së shkruar – ZaNa Literature Festival në Mitrovicë
23/05/2025 07:02Më 21 maj, në tarracën e 7Arte në Mitrovicë, ZaNa Literature Festival çeli edicionin e pestë me radhë nën temën “Udhës”, duke e kthyer poezinë në një udhëtim ndërgjegjeje, kujtese dhe ndjeshmërie. Artistë dhe dashamirës të fjalës së shkruar, nga Greqia, Turqia, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, u bashkuan në një mbrëmje ku fjala poetike tejkaloi kufijtë gjuhësorë e kulturorë. Moderatorja Xhejlane Tërbunja, me një prani të ndjeshme dhe elegante, hapi festivalin me poezinë “Rrëfim qytetit” nga poetja lokale Nora Prekazi, dhe vazhdoi me prezantimin e poetëve pjesëmarrës, duke krijuar një atmosferë intime mes artit dhe përgjegjësisë shoqërore. Në interpretimin e saj poetik, Rudina Çupi solli një tekst të fuqishëm e simbolik – poezinë “Prishja” – ku ajo rimori legjendën e murimit të gruas për ndërtimin e kështjellës, si metaforë për flijimin dhe shtypjen gjinore. Fisnik Egër, me poezinë “I See”, eksploroi tensionet e brendshme njerëzore mes dritës dhe errësirës, ndërsa Vlora Ademi solli një poezi të ngrohtë retrospektive, të frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë në ditë me borë. Alexandros Athanassiou, poeti nga Greqia, solli një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes poetike në ZaNa Festival. Para se të niste leximin e poezisë së tij, ai kërkoi nga publiku një minutë heshtje në nderim të fëmijëve të vrarë në Gaza, duke shndërruar skenën poetike në një akt të qartë human dhe etik. Poezia e tij u përshkua nga një ton i përmbajtur, reflektues dhe universal, ku fjala ndërtohej si urë midis dhimbjes personale dhe asaj kolektive. Taner Güçlütürk, nga Prizreni, për herë të parë lexoi një pjesë të poezisë së tij në gjuhën shqipe, duke sjellë emocione të veçanta te publiku. Marija Petranović Šerifović solli në ZaNa Festival një poezi të përmbajtur dhe të thellë, ku fjala rrjedh si një ujë i qetë, por që përbrenda fsheh shtresa të ndërlikuara ndjeshmërie. Poezia e saj ishte një udhëtim përmes vetmisë, dashurisë dhe brishtësisë njerëzore, të shprehur në gjuhën e saj amtare, por të kuptuar pa vështirësi nga zemrat e audiencës. Poeti boshnjak Amar Ličina u shfaq në festival si një zë që bashkon të kaluarën me të tashmen, duke ndërtuar urë mes identitetit personal dhe kujtesës kolektive. Poezitë e tij, të lexuara në gjuhën boshnjake, ishin të mbushura me ndjenja përkatësie, humbjeje dhe përpjekjes për të ruajtur vlerat njerëzore në një botë që ndryshon me shpejtësi. Marsela Neni solli një cikël poetik të shumëfishuar në shtatë pjesë, të titulluar “Udhëtimi”, që e udhëhoqi audiencën përmes luginave të vetërrëfimit, dashurisë, xhelozisë, egoizmit, harrimit, rizbulimit e deri tek transcendenca e ndjenjës. Poezitë e Ledia Dushit u interpretuan nga aktori Fisnik Istrefi, ndërsa Faruk Buzhala e përmbylli programin me një interpretim që bashkonte humorin e hollë me poezinë lirike. Mbrëmja u mbyll me fjalët përshëndetëse nga Miljana Bulatoviç Dundjerin dhe Diellza Jëlliqi, që rikujtuan rrugëtimin e festivalit dhe ndikimin e tij në jetën kulturore të Mitrovicës. Në fund, tingujt e Agona Shportës në vokal dhe Tringa Sadikut në kitarë, të përzier me reshjen e lehtë të shiut, sollën një përmbyllje shpirtërore të një nate që Mitrovicën e bëri vend udhëtimi poetik – jo vetëm për poetët, por edhe për publikun. “Një poezi e mirë nuk e ndryshon botën menjëherë – por mund të ndryshojë dikë që mund të ndryshojë botën.” Festivali është organizuar nga Dhemetra Foundation dhe Qendra Kulturore Akvarijus