Aleksandar Dundjerin ka lindur në vitin 1974 në Novi Sad, ku edhe i përfundoi studimet për Letërsi Serbe në Fakultetin e Filozofisë, pranë Universitetit të Novi Sadit. Ai ka jetuar dhe punuar në Novi Sad, Beograd dhe disa qytete të Polonisë. Prej dhjetë vitesh, jeton dhe krijon në Mitrovicë, ku së bashku me bashkëshorten e tij, Miljana, drejtojnë Qendrën Kulturore "Aquarius".
Është autor i qindra studimeve, eseve, recensionesh, artikujsh, shkrimesh gazetareske, tregimeve të shkurtra dhe poezive të publikuara në shumë antologji vendore dhe të huaja, periodikë artistikë, revista javore, gazeta ditore dhe portale.
Ndër veprat e tij përfshihen një libër me prozë artistike (Në guaskën e plasaritur, 2002), një dramë (Arratisje nga asgjëja, 2004), një libër me poezi (Ndrysho titullin, 2024), një libër me ese dhe kritika (Demonët largohen I, 2014), si dhe një libër me biseda dhe polemika (Demonët largohen II, 2014). Gjithashtu ka redaktuar më shumë se një duzinë librash.
Alexandros Athanasiou ka lindur në vitin ’92. Ai studioi Gazetari në Athinë dhe Shkrim në Brighton. Që atëherë, ai e kalon kohën duke eksploruar grotesken dhe të papastrën. I pëlqejnë gjithashtu biskotat me krem. Në vitin 2023, u shpërblye me vendin e dytë në Konkursin e Poezisë në Sussex, për satirën e tij mbi poemën e famshme “Howl” të A. Ginsberg, dedikuar Carl Solomon-it.
Amar Ličina ka lindur më 15 gusht 2001 në Novi Pazar. Studion letërsinë dhe gjuhën serbe në Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit. Shkruan poezi dhe prozë. Është fitues i çmimit të parë në Festivalin e Poezisë për të Rinj në Vrbas (2022), si dhe fitues i çmimit “Kosto Ninković” në festivalin “Pod lipom” në Nikshiq. Ka qenë finalist në disa konkurse të tjera letrare, përfshirë “Mbrëmjet e Ratkoviqit”. Vëllimi i tij i parë poetik Mera stvari (2022) fitoi çmimin “Shalli i Matiqit” dhe ishte në listën e ngushtë për çmimet “Đura Jakšić” dhe “Slavitude”. Poezia e tij është përkthyer në frëngjisht, spanjisht dhe anglisht.
Bujar Meholli është profesor i letërsisë shqipe, eseist, kritik dhe shkrimtar. Krahas ligjërimit, analizon problematika nga letërsia, filozofia, psikologjia, muzika, piktura, filmi dhe kultura në përgjithësi. Në krijimtarinë eseistike rimerr tema nga autorë dhe periudha të ndryshme kulturore duke i modeluar në këndvështrime moderne. Aktiv në medie të shkruara dhe online; gama e shkrimeve të tij përfshin: multikulturalizmin, analizat sociokulturore bashkëkohore, vlerat substanciale të artit, indin e epokës digjitale dhe implikimet psikofizike te njeriu i shekullit XXI. Deri më tani ka botuar dy përmbledhje poezish, është në proces pune për shkrime dhe botime të tjera.
Dije Demiri-Frangu është autore e njohur në Kosovë dhe jashtë saj. Ka të botuara 12 libra–krijimtari për të rritur dhe për fëmijë. Përveç shkrimtare, ajo merret edhe me studimin e letërsisë, si studiuese, ka marr pjesë në shumë seminare e konferenca shkencore. Ndër veprat e saj, ka të botuar edhe librin me studime mbi letërsinë për fëmijë, "Letërsia për fëmijë" (gjeneza, fenomene, autorë) si dhe librin me kritika letrare "Me letërsinë", që është në proces botimi. Aktualisht është Prof. assoc. në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Hasan Prishtina, në Degën e Letërsisë Shqipe.
Faruk Buzhala është poet nga Ferizaj, me një krijimtari të rrënjosur në përvojat ekzistenciale, kujtesën historike dhe ndjeshmërinë shpirtërore. Poezia e tij përfaqëson një zë që ka kaluar nëpër kohë të vështira, ku fjala është përdorur si mënyrë mbijetese, dëshmie dhe reflektimi. Vargjet e tij bartin një thellësi emocionale dhe një ndjesi të vazhdueshme kërkimi, ku dashuria, dhimbja dhe kujtimi gërshetohen në forma të lira, shpesh me ngarkesë të dyfishtë kuptimore. Ka botuar disa vepra poetike dhe vazhdon të jetë aktiv në shkrime, duke e parë artin si një proces të pandalshëm evoluimi dhe vetëformësimi. Poezitë e tij janë përkthyer dhe shqyrtuar në gjuhë të tjera, dhe janë përfshirë në antologji letrare vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë festival paraqitet me një cikël poezish të përzgjedhura, që trajtojnë ndjenjat si silueta të pasqyrës dhe gjurmë të mallit që nuk shuhet.
Fisnik Egër është i diplomuar në Psikologji dhe ka filluar të shkruaj poezi që në vitet e para të studimeve, si një mënyrë për ta përballuar presionin akademik dhe sfidat personale. Me kalimin e kohës, poezia u shndërrua në një formë domethënëse reflektimi dhe shprehjeje për të. Krahas krijimtarisë së tij, Fisniku ka bashkëpunuar dhe ka punuar me organizata të ndryshme kulturore, si dhe ka qenë i përfshirë në projekte kërkimore dhe çështje komunitare. Këto përvoja vazhdojnë të ndikojnë në shkrimet e tij, duke i dhënë atyre një perspektivë personale me tema akademike dhe shoqërore. Për Fisnikun, poezia shërben si një urë lidhëse mes botës së tij të brendshme dhe asaj që e rrethon.
Ledia Dushi është një poete, përkthyese dhe akademike e njohur shqiptare, e lindur në vitin 1978 në Shkodër, në veriun e Shqipërisë. Ajo është e njohur për poezinë e saj të shkruar në dialektin gegë, çka e bën të spikatur në një peizazh letrar që zakonisht dominohet nga dialekti toskë. Zgjedhja e saj për të shkruar në gegë është pritur si me lavdërime ashtu edhe me kritika – disa kundërshtarë të hershëm e kanë akuzuar për përpjekje për të ndarë kombin shqiptar.
Dushi ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe dhe ka përfunduar doktoraturën në fushën e etnologjisë dhe folklorit në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Kërkimi i saj akademik fokusohet në folklor dhe rite fetare, veçanërisht në ritualet e varrimit në Shqipërinë e veriut. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin e Beogradit dhe në Universitetin Europian të Tiranës, si dhe ka qenë hulumtuese në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Aktualisht punon si drejtoreshë e Bibliotekës së Shkodrës "Marin Barleti".
Marija Petranović Šerifović ka lindur në Novi Sad në vitin 1982. Aktualisht studion Informatologji në Fakultetin e Filozofisë në Osijek, në Republikën e Kroacisë. Poezia e saj është botuar në revista letrare online si astronaut.ba, booke.hr, Anna lit književnost, Kvaka, Nigdine dhe Dunjalučar, si dhe në qendrën kulturore/revistën Zvona i Nari në Istri. Është përfshirë në antologjinë poetike Tanane revolucije (Kontrast, Beograd, 2023). Përmbledhja e saj poetike Vrati joj lambadu u botua në vitin 2024 nga Qendra Kulturore e Nishit. Për shkak të punës së saj, ajo udhëton nëpër botë. Aktualisht jeton dhe punon ndërmjet Irlandës, Serbisë dhe Kroacisë.
Marsela Neni ka lindur më 22 gusht 1984 në Elbasan. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit dhe Masterin Shkencor në Gjuhësi në Universitetin e Tiranës. Është autore e vëllimit poetik “Nântë herë grue”, botuar nga “Klubi i poezisë” në vitin 2023. Ka botuar gjithashtu cikle poetike, artikuj kritikë, recensime dhe përkthime në media të ndryshme kulturore.
Në vitin 2023, u vlerësua me çmimin “At Gjergj Fishta” për poezinë më të mirë nga Shoqata “Ora e Muzës” në Lezhë. Është pjesë e disa antologjive poetike. Marsela është autore dhe bashkëautore e shtatë teksteve shkollore të Gjuhës dhe Letërsisë për arsimin e mesëm të lartë, si dhe e disa teksteve përgatitore për maturën shtetërore.
Rudina Çupi është poete dhe autore librash për fëmijë, me origjinë nga Durrësi e cila banon në Tiranë, Shqipëri. Me një pasion të thellë për letërsinë dhe një diplomë nga Universiteti i Tiranës, Rudina ka përvojë të konsiderueshme në përkthimin e librave për fëmijë dhe ka botuar 26 tituj në këtë fushë. Ajo është gjithashtu skenariste e dy filmave të shkurtër me karakter didaktik. Merr pjesë si trajnere në seminare të fokusuara në didaktikën dhe programet mësimore për edukatoret e arsimit parashkollor.
Ajo është themeluese e shtëpisë botuese PUPEZ (Kokonë) – e cila i dedikohet librave për fëmijë dhe autorëve të rinj shqiptarë. Ka themeluar gjithashtu Creative Writing Klub, me qëllim që të ndihmoj të rinjtë e talentuar të shprehin veten përmes shkrimit kreativ. Rudina është mjaft aktive në skenën kulturore dhe mediatike lokale, duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme me fëmijë për të nxitur dashurinë për librin dhe leximin. .
Taner Güçlütürk është turkolog, pedagog, poet, kërkues-shkrimtar, përkthyes. Në vitin 2011 ka kryer doktoraturën në fushën e "Letërsisë së Re Turke" në Universitetin e Shkupit. Poezi, ese, lajme, përkthime, komente dhe artikuj shkencorë të tij janë botuar në shumë gazeta, revista letrare dhe shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka më shumë se 50 artikuj dhe kërkime shkencore të botuara. Ka botuar 7 libra dhe ka qenë redaktor i dhjetëra veprave. Për kontributet në letërsi, shkencë dhe shërbim shoqëror, deri më tani është shpallur i denjë për dhjetë çmime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe ka marrë qindra mirënjohje. Ka punuar si gazetar, prezantues dhe redaktor programesh në shumë media lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2005 mori Çmimin e Gazetarit të Vitit në Kosovë. Ka qenë anëtar i Këshillit të Shtypit të Kosovës.
Vlora Ademi është diplomate kulturore dhe themeluese e dy festivaleve ndërkombëtare në Kosovë, Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Republika në Prishtinë dhe Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Respoetica në Prizren.
Në shkurt të vitit 2023, Shtëpia Botuese Onufri e ka botu edhe librin e saj të parë me poezi "Katërdhetë e pak", promovimi i parë i të cilit është realizu në Bruksel, për të vazhdu në Prishtinë, Shkodër, Korçë, Tiranë, Cyrih, Gjenevë, Athinë, Prizren dhe Kërçovë. Ndërkaq botimi i dytë i këtij libri nga po e njajta shtëpi botuese, u prezantua në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ftesën e Federatës Pan Shqiptare Vatra.
Libri "Katërdhetë e pak" gjithashtu është vlerësu si vëllimi më i mirë poetik me Çmimin “At Gjergj Fishta” në Lezhë (2023).
Ciklet e saja me poezi janë vlerësuar me vendin e parë edhe nga Bashkia e Beratit me Çmimin “Vexhi Buharaja” (2023) dhe edhe në Konkursin Letrar “Ndoc Gjetja” në Lezhë (2023).